VIDEO: Publikohen pamjet, si u lëvizën paratë brenda filialit të Postës Shqiptare
Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar lëvizjet e dyshuara të parave brenda Filialit të Postës Shqiptare në Durrës, në dosjen ku ish-drejtoresha Elisabeta Mataj e cila akuzohet për përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensione, ndihmë ekonomike dhe pagesa të tjera sociale.
Pamjet filmike të datës 14 janar 2026 të administruara nga Prokuroria, tregojnë komunikimin mes ish-drejtoreshës dhe vartëseve të saj, ndërsa sipas hetimeve, në disa episode shefja e financës merrte thasët me para nga arka dhe i dërgonte në zyrën e drejtoreshës, në kundërshtim me procedurat e parashikuara.
Vetëm pak minuta më pas, sipas dosjes hetimore, Mataj shihet duke u larguar nga zyra me një qese të bardhë transparente, përmbajtja e së cilës nuk mund të përcaktohet nga pamjet, raporton Euronews.
Për këtë çështje, Gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ndërsa dy vartëset e saj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, janë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Euronews Albania mëson se përvetësimi i fondeve dyshohet të ketë nisur që në muajin nëntor të vitit 2025, vetëm pak javë pasi Elisabeta Mataj mori drejtimin e filialit të Postës në Durrës. Sipas burimeve, skema ka vijuar për disa muaj, ndërsa në fazën e fundit situata u bë kritike, duke sjellë edhe vonesa në shpërndarjen e pensioneve për qytetarët.
Burime për Euronews bëjnë me dije se, përballë përshkallëzimit të situatës dhe mungesës së fondeve, shefja e financës Valbona Duni paraqiti dorëheqjen. Megjithatë, hetimet e Prokurorisë vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e dyshuar të përvetësimit të parave dhe përgjegjësitë individuale të personave të përfshirë.
https://xmedia.al/wp-content/uploads/2026/07/WhatsApp-Video-2026-07-21-at-14.42.39.mp4
The post VIDEO: Publikohen pamjet, si u lëvizën paratë brenda filialit të Postës Shqiptare appeared first on X-Media.
7/21/2026 5:11:22 AM