KQZ gati për zgjedhjet e 7 qershorit, nesër votohet në 30 përfaqësi diplomatike jashtë Kosovës
Të shtunën e 6 qershorit dyert e 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës në 18 shtete do të hapen për të votuar të gjithë qytetarët që janë regjistruar për votim jashtë vendit. Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi dha detaje rreth procesit.
“Nga 132,212 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 27,724 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në ndonjërën nga këto 30 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit. … më 6 qershor, do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 104,488 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 21 maj. … Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë, tha Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ, Kosovë.
Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet të 7 qershorit, kryetari Kreshnik Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të votuar.
Për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, Prokurori i Shtetit njoftoi se mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit do të jenë të angazhuar në ditën e votimit.
Të dielën rreth 2 milionë qytetarë mund të votojnë në 2550 vendvotime që u përkasin 949 Qendrave të Votimit.
Në 911 prej tyre do të mundësohet votimi i rregullt, ndërsa në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të zhvillohet votimi me kusht.
The post KQZ gati për zgjedhjet e 7 qershorit, nesër votohet në 30 përfaqësi diplomatike jashtë Kosovës appeared first on X-Media.
6/5/2026 7:47:48 AM