Mbi 1.1 milion turistë vizituan Shqipërinë në maj! 273% më shumë vizitorë nga Lituania
Shqipëria vijon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në rajon.
Të paktën sipas shifrave të publikuara mëngjesin e kësaj të premteje, nga Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, rezulton se gjatë gjithë muajit maj, vendin e kanë vizituar mbi 1 milionë e 140 mijë turistë.
“Gjatë muajit maj 2026, vendi ynë mirëpriti 1,143,595 vizitorë të huaj, një rritje prej +16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ecuri pozitive reflekton besimin në rritje ndaj Shqipërisë, rritjen e investimeve private e publike në infrastrukturën turistike dhe zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, promovimin dinamik dhe kalendarin e pasur gjithëvjetor, si dhe forcimin e reputacionit dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.”, shkruan ministri Gonxhe.
Sipas tij, një rritje të ndjeshme kanë regjistruar vizitorët nga tregje të rëndësishme evropiane dhe ndërkontinentale. Megjithatë, Kosova me 321 mijë e 714 vizitorë dhe Italia me 120 mijë e 344 vizitorë, vijojnë të japin kontributin më të madh në numrin e përgjithshëm të vizitorëve.
“Gjithashtu, interesi në rritje nga SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera me potencial të lartë konfirmon atraktivitetin e Shqipërisë për turistët që kërkojnë përvoja autentike, kulturë, natyrë dhe mikpritje.”, shton Gonxhja.
Rritja e vizitorëve gjatë muajit maj sipas shteteve nga ata vijnë:
Lituania +273%
Danimarka +253%
Finlanda +83%
Polonia +80%
Irlanda +63%
Izraeli +48%
SHBA +37%
Kanadaja +37%
Mbretëria e Bashkuar +32%
Suedia +26%
Republika Çeke +25%
Belgjika +24%
Italia +24%
Franca +21%
Portugalia 19%
Kosova +15%
Ministri i konsideron këto shifra, si dëshmi të punës së përbashkët të institucioneve, operatorëve turistikë dhe komuniteteve lokale për ta bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më konkurrues.
The post Mbi 1.1 milion turistë vizituan Shqipërinë në maj! 273% më shumë vizitorë nga Lituania appeared first on X-Media.
6/5/2026 7:31:27 AM