Protestat për Zvërnecin, Rama: S’ka projekt të miratuar për Zvërnecin, Irani është pjesë e luftës hibride!
Për herë të parë nga Mali i Zi, kryeministri Rama akuzoi Iranin si të lidhur me protestat në Tiranë, përmes luftës hibride që ndërton një narrativë të rreme se pas projektit qëndron një marrëveshje e fshehtë. Kjo narrativë sipas kryeministrit Rama ka fituar shumë terren edhe përmes dezinformimit.
“Sa i përket protestave për resortin, nuk ka kërkesa për t’u diskutuar sepse ende nuk ekziston një projekt i miratuar. Fillimisht duhet të kemi projektin, pastaj ta shohim dhe më pas ta diskutojmë. Nuk mund të diskutojmë për diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në rrjetet sociale përmes një lufte hibride kundër Shqipërisë dhe narrativave të rreme. Një prej tyre pretendon se projekti nuk është ai që thuhet, por një marrëveshje mes meje dhe Benjamin Netanyahut, e ndërmjetësuar nga Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Zvërnec.
Mendoj se mediat perëndimore duhet të jenë më të kujdesshme, sepse faktet kanë rëndësi. Nuk ka ende projekt, nuk ka arsye për shqetësim dhe arkitektë, inxhinierë e peizazhistë ndër më të mirët në botë janë të angazhuar në këtë nismë. Qëllimi nuk është dëmtimi i natyrës, por krijimi i diçkaje unike, që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe një dhuratë e Shqipërisë për Europën. Ky nuk është vetëm një debat mjedisor. Është edhe çështje e një lufte hibride. Ka armiq të Shqipërisë që i njohim mirë. Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri. Kjo narrativë ka marrë shumë vëmendje. Janë shpërndarë video të rreme me qindra mijëra shikime, ku pretendohet se shqiptarët brohorasin “Israel go home”. Këto janë të gjitha të rreme. Nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale”, tha Rama.
The post Protestat për Zvërnecin, Rama: S’ka projekt të miratuar për Zvërnecin, Irani është pjesë e luftës hibride! appeared first on X-Media.
6/5/2026 5:53:45 AM